
Dr. Bujar Bukoshi, një nga figurat më të rëndësishme të skenës politike dhe mjekësore të Kosovës, ka ndërruar jetë sot në moshën 78-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.
I lindur në vitin 1947 në Suharekë, Bukoshi ishte ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe një prej themeluesve të institucioneve paralele shqiptare gjatë viteve të represionit serb në Kosovë.
Pas shpalljes së Republikës së Kosovës më 1991, ai u emërua Kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil, detyrë që e ushtroi për afro një dekadë nga Gjermania, duke lobuar pandërprerë në arenën ndërkombëtare për të sensibilizuar opinionin publik dhe qeveritë perëndimore mbi gjendjen në Kosovë.
Bukoshi kreu studimet për mjekësi në Universitetin e Beogradit më 1971 dhe u specializua në urologji në Prishtinë e Beograd në vitin 1977. Më vonë, përmes bursave të njohura ndërkombëtare si ajo e DAAD-it dhe Senatit të Berlinit, vijoi trajnimet në Gjermani. Në vitin 1985, ai mbrojti doktoraturën në onkologji urologjike në Berlin.
Përveç punës së tij si mjek dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ai ishte një nga themeluesit e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ) si dhe një nga figurat kyçe në krijimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku mbajti postin e sekretarit të përgjithshëm.
Në vitin 1990, për shkak të angazhimit të tij politik, Bukoshi u dëbua me forcë nga Klinika e Prishtinës, ku punonte si kirurg. Pas kësaj, ai u përkushtua tërësisht në organizimin e Qeverisë së Kosovës në ekzil dhe ishte një nga arkitektët e rrjetit të famshëm të donacioneve nga diaspora ("3 përqindëshi"), i cili mbajti gjallë sistemin paralel të arsimit dhe shëndetësisë në Kosovë gjatë viteve të okupimit.
Pas luftës së Kosovës, ai mori pjesë në negociatat e Rambouillet-së dhe drejtoi Unionin e Fondeve për Rindërtimin e Kosovës (UFORK), përmes të cilit u rindërtuan shkolla, shtëpi dhe projekte kulturore në vend. Më pas shërbeu si deputet, ministër i Shëndetësisë dhe Zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, duke kontribuar në reforma në shëndetësi dhe mirëqenie sociale.
Bukoshi do të mbahet mend si një ndër figurat më të përkushtuara të kohës së rezistencës paqësore dhe të periudhës së ndërtimit të shtetit të Kosovës. Ai ishte një urë lidhëse ndërmjet mjekësisë, politikës dhe mërgatës shqiptare në Evropë.
Ai lë pas bashkëshorten, Dr. Zana Bukoshi, tri vajzat Ora, Shota dhe Nita.



