Arrestohet nga Policia Kufitare Sarandë, një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar në Itali, me 18 vjet burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike.
I arrestuari është Ermal Kostare alias Denis Rama, 50 vjeç, banues në Tiranë, rezident në Mbretërinë e Bashkuar.
50-vjeçari u paraqit në sportelin e daljes nga Republika e Shqipërisë dhe gjatë verifikimit të pasaportës që ka paraqitur, punonjësit e Policisë Kufitare kanë krijuar dyshime mbi identitetin e tij dhe e kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë.
Pas verifikimeve të imtësishme, përmes pajisjes biometrike të gjurmëve të gishtave dhe krahasimit me të dhënat e dërguara nga Interpol Tirana, u konfirmua se 50-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe përdorte dokument identifikimi (pasaportë të Mbretërisë së Bashkuar) me gjeneralitete të tjera, për t’iu shmangur identifikimit.
50-vjeçari është dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane me 18 vjet burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e 50-vjeçarit, në Itali.



