
Tre persona janë arrestuar nga policia e Durrësit për shpërndarjen e lëndëve narkotike. Në bazë të provave të siguruara, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kapën dhe vunë në pranga shtetasit Renato Leci, 21 vjeç dhe Elvis Leci, 19 vjeç (kushërinj), të dy banues në Arapaj, Durrës, si dhe shtetasin Endri Mezhika, 22 vjeç, banues në Xhavzotaj, Durrës. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 3 shtetas vepronin në formën e një grupi, me qëllim sigurimin dhe shitjen në doza, të lëndës narkotike kokainë, në zonën e plazhit të Durrësit. Gjatë kontrolleve, këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lëndë e dyshuar narkotike kokainë e ndarë në dhjetëra doza të gatshme për shitje, një peshore elektronike dhe 3 celularë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.



