Një person është vënë në prangat e policisë i dyshuar për shpërndarje droge në Bulqizë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Tempulli 2”, si rezultat i hetimeve dhe informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në Bulqizë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Dibër në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dhe Komisariatin e Policisë Bulqizë, organizuan punën për goditjen e këtij rasti.
Si rezultat, shërbimet e policisë kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin Y.D., 21 vjeç, banues në Bulqizë, si dhe kanë shpallur në kërkim policor një shtetas tjetër ku për arsye hetimi nuk bëhen me dije të dhënat e tij.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se 21-vjeçari, së bashku me një shtetas tjetër, pasi siguronin lëndën narkotike, e ndanin në doza dhe e shpërndanin pranë shkollave dhe në lokale të ndryshme të qytetit të Bulqizës.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 qese me doza kanabis, një shumë parash dhe 1 aparat celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.



