Policia e Dibrës ka arrestuar 52-vjeçarin, i cili mbrëmjen e djeshme deklaroi se e kishin plagosur në këmbë me armë zajrri. Por, nga hetimet e policisë nuk ka rezultuar asgjë si ato që ka thënë i plagosuri.
Në orët e mbrëmjes së datës 25.12.2020, shtetasi F. Z., është paraqitur për ndihmë mjekësore në qendrën shëndetësore Maqellarë, i cili pretendonte se ishte plagosur me armë zjarri nga disa persona të pa identifikuar.
Menjëherë është ngritur një grupi i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes dhe nga veprimet e shpejta e profesionale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë ka rezultuar se në aksin rrugor Shupenzë-Maqellarë, shtetasi F. Z., duke drejtuar automjetin tip “kamionçinë”, në gjendje të dehur dhe në sens të kundërt të rrugës, në momentin që ka zbritur nga automjeti, është dëmtuar në pjesën e këmbës dhe ka qëndruar në mes të rrugës.
Shtetasit F. Z., i është bërë testi i alkoolit me aparatin Drager, i cili ka rezultuar në gjendje të dehur në masën 0.61 mg/l. “Në përfundim të veprimeve të para hetimore, nga specialistët e Policisë Rrugore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. Z., 52 vjeç, banues në Majtarë, Dibër për veprat penale ‘Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt’ dhe ‘Kallëzim i rremë’”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër për veprime të mëtejshme.



