
Qytetarë të shumtë janë mbledhur sot në komunën e Shtërpcës në Kosovë, për të protestuar lidhur me rastin e plagosjes së dy të rinjve të nacionalitetit serb, që ndodhi të premten e 6 janarit.
Prezent në këtë protestë ishin edhe udhëheqësit e Listës Serbe, e cila ka përfunduar e qetë dhe pa asnjë incident.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, ka thënë para protestuesve se “regjimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti është në Shtërpcë”.
Regjimi i Kurtit është në Shtërpcë ashtu siç është në veri. Siç e shihni nuk jemi të lodhur, për 20 ditë nuk e kemi sulmuar asnjë shqiptarë me qëllimin që të mos japim arsye shqiptarëve qeverisë Kurti për sulme. Ata duhet të ofrojnë siguri e jo të na frikësojnë.
Lufta jonë në rrugë paqësore dhe demokratike është mënyra për të luftuar kundër Kurtit. Për këtë kemi mbështetjen e Aleksandër Vuçiç.
Ndërsa kryetari i Komunës së Shtërpcës dhe nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiç, theksoi se dy serbët e plagosur “treguan se janë të guximshëm, sepse nuk e ulën kokën kur u qëlluan”.
Ky numër i njerëzve tregon unitetin tonë ndaj atyre që donin të na dëbonin. Në vend që të festojmë Krishtlindjet në mënyrën tradicionale ortodokse, ne duhej të protestonim kundër të shtënave.
Ne po dërgojmë një mesazh paqeje, që duam të jemi me njëri-tjetrin. Ky është mesazhi që dërgojmë nga çdo protestë. Paqja si mesazh kryesor.
Për të mbajtur rendin, prezent në protestë ishin edhe zyrtarët policor nga Policia e Kosovës dhe trupa të KFOR-it.
Të lënduar nga incidenti i 6 janarit mbetën një 11-vjeçar dhe një 21-vjeçar, përderisa i dyshuari në këtë rast është një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ndaj të njëjtit, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimi.



