Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, del nesër para Gjykatës së Krimeve të Rënda për verifikimin e masës së sigurisë. Gjyqtare do të jetë Liliana Baku, e cila dy ditë më parë pranoi pjesërisht kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke e lënë Tahirin në arrest shtëpie, ndryshe nga masa “arrest me burg” që kërkonte organi i akuzës.
Ndaj Tahirit u caktua masa e sigurisë “arrest shtëpie” dy ditë më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Vendimi ndaj tij erdhi vetëm pak ditë pasi vetë Tahiri hoqi dorë nga mandati i deputetit.
Gjykatësja Baku ka argumentuar masën e sigurisë me mungesën e rrezikshmërisë shoqërore, në rastin e Tahirit.
Ish-ministri i Brendshëm dyshohet për “trafikim të narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.



