
Një aksident tragjik ka ndodhur orët e vona të së mërkurës në Itali, ndërsa humbën jetën dy djem të rinj. Sipas mediave italiane, ngjarja e rëndë ndodhi në Montorio Romano, komunë në provincën e Romës, ndërsa viktimë mbeti shtetasi shqiptar Erik Vuka, 25 vjeç dhe Dante Cappai, 23 vjeç.
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, aksidenti ndodhi mbrëmjen e 6 janarit në zonën e varrezave, në veri të kryeqytetit. Makina që drejtohej nga shqiptari Erik Vuka, doli nga rruga për shkaqe ende të paqarta, teksa ishte në dishezë. 25-vjeçari përfundoi në krahun e kundërt të rrugës dhe u përplas me murin rrethues të varrezave.
Shoku i tij 23-vjeçar, Dante Cappai vdiq në vendngjarje, ndërsa i riu shqiptar u nxor nga automjeti nga forcat zjarrfikëse. Ai u transportua në gjendje kritike në spital, ku ndërroi jetë pak kohë më vonë. Vdekja e dy të rinjve ka tronditur familjarët, miqtë dhe mbarë komunitetin ku ata jetonin. Për ngjarjen e rëndë autoritetet italiane kanë nisur hetimet.



