Dy vjet pas vrasjes së Egli Progës në Pogradec, Prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim pesë persona të përfshirë në dosje.
Me përfundimin e hetimeve, organi i akuzës u ka komunikuar akuzën "vrasje me dashje, e kryer në bashkëpunim" Denis Meçes dhe Leonidha Guçes.
Ndërsa për Arjan Manellarin, Voltan Shkulakun dhe Andi Shkulakun rëndojnë akuzat për "moskallëzim të krimit, i kryer në bashkëpunim" dhe "kryerje të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës".
Për dy të pandehurit e akuzuar për vrasje me dashje, Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë "arrest në shtëpi", ndërsa tre të akuzuarit e tjerë po hetohen me masën "detyrim për t'u paraqitur".
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, 42-vjeçari humbi jetën si pasojë e një hemorragjie cerebrale, të shkaktuar nga një goditje me grusht.
Përveç ekspertizës mjeko-ligjore, Prokuroria ka mbështetur akuzën edhe në dëshmitë e personave të pyetur, si dhe në pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve pranë vendit ku ndodhi ngjarja.
Vrasja e Egli Progës, e ndodhur më 10 gusht 2024, shkaktoi debat të fortë publik dhe përplasje mes Policisë dhe Gjykatës.
Familjarët e viktimës kanë kërkuar që hetimet të mos kufizohen vetëm te personat e akuzuar për ngjarjen, por të shtrihen edhe ndaj strukturave të Policisë vendore, për të verifikuar përgjegjësitë e mundshme institucionale.



