Një shqiptar dhe një lituanez u dënuan me burg për rrëmbimin dhe mbajtjen peng për disa ditë me radhë të dy të rinjve në Britani. Ngjarja ka ndodhur në maj të vitit të kaluar, në Sheffield. Dy pengjet kanë qenë E.R. dhe O.L., të cilët janë rrëmbyer dhe keqtrajtuar fizikisht nga shtetasi shqiptar Andi Alushi dhe shtetasi lituanez Valdemaras Kasinskas.
Policia britanike zhvilloi hetime në kuadër të operacionit “Lakeside Kilo”. Pas kontakteve të autoriteteve britanike me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, dy rrëmbyesit u akuzuan për veprat penale të “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, i kryer kundër disa personave në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë muajit shtator 2022 pjesëtarë të Skuadrës së Përbashkët Hetimore nga Shërbimi i Policisë së Yorkshire të Jugut kanë ardhur në Shqipëri, ku në bashkëpunim me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Oficerë të shërbimit të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorit të çështjes në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë kryer veprime të shumta hetimore, në kuadër të hetimeve paralele që po zhvilloheshin si në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu dhe në Shqipëri.
Në vazhdim të hetimeve të përbashkëta në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuara, janë dërguar në gjykim të pandehurit Andi Alushi dhe Valdemaras Kasinskas. Në seancën e 3 janarit 2023, dy të pandehurit janë dënuar për veprat penale të kryera prej tyre me nga 19 vjet e 6 muaj burgim.
Gjatë mbajtjes peng, sipas BBC, dy autorët i kanë detyruar E.R. dhe O.L. të hanë nga enët e qenit, u kanë shkaktuar djegie në trup dhe I kanë mbajtur të lidhur pas radiatorit.



