
Tre persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë në Korçë, për vepra të ndryshme penale. Një 18-vjeçar është proceduar në gjendje të lirë në Voskop, pasi dyshohet të ketë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 15-vjeçare. Ndërkohë dy persona janë arrestuar për dhunë në familje, dhe një tjetër është proceduar për vjedhje.
NJOFTIMI
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasit: D. M., 39 vjeç, banues në Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij 13-vjeçare dhe ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje; O. B., 38 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje; E. K., 32 vjeç, banues në Pogradec, pasi në qytetin e Pogradecit, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin tip “Volkswagen”, të cilin, pas verifikimit, rezultoi se e drejtonte pa leje drejtimi.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. L., 18 vjeç, banues në fshatin Voskop, Korçë, pasi në muajin tetor të vitit 2023, dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetase 15 vjeçe. Policia po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. K., 49 vjeç, banues në fshatin Rëmenj, Pogradec, pasi në fshat dyshohet se ka tentuar të vjedhë një sasi kablloje elektrike, në banesën e një 66-vjeçari. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit L. K., u gjetën mjete të ndryshme që dyshohet se ky shtetas i përdorte për të kryer vjedhjet dhe një sasi tjetër kablloje elektrike.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore rezultoi se 49-vjeçari është autori i dyshuar edhe i 5 rasteve të tjera të vjedhjes së kabllove elektrike, në banesa të ndryshme në fshatrat Vërdovë dhe Rëmenj, si dhe në qytetin e Pogradecit, gjatë muajve tetor dhe nëntor të vitit 2023.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.



