Gazetari Zhevair Zhabina, për kolapsin në sistemin online të hipotekës për të cilin qytetarët dhe noterët ankohen se prej një jave është jashtë funksionit, kërkon që Kadastra të ofrojë zgjidhje.
Nga studio e “MCN Live”, ai deklaroi se këto probleme janë periodike dhe se duhet të jetë Kadastra vetë që të organizojë punën me qytetarët të cilët kërkojnë shërbimin dhe paguajnë për të.
Aty zhvillohet aktiviteti më i madh sa i takon pronave në Shqipëri, ka dhe hije dyshimi. Sistemi ende nuk punon siç duhet, disa veprime duhen kryer disa herë. Kjo është një gangrenë shumë e madhe edhe pse u zhvillua sistemi i Kadastrës dhe Hipotekës, problemet janë aty. Sistemi po sjell çorientim te qytetarët.
Kjo ndodh prej dy javësh dhe qytetarët privohen nga e drejta e tyre për të marrë shërbime prej dy javësh. Duhet parë nëse problemi vazhdon me ditë, pasi nëse vazhdon me ditë të tjera, qytetarëve iu duhet të gjejnë mënyra për të marrë dokumente nga ky institucion, se ju duhet.
Duhet të ketë mënyrë tjetër se si duhet të funksionojnë këto sisteme. Nuk përjashtohet as mundësia e hakerimit, nëse është një situatë që zgjat prej disa ditësh. Ne e pamë në 2022 se sa të mbrojtur ishin.
Duhet të jetë Kadastra vetë që të organizojë punën me qytetarët se në fund janë qytetarët që kërkojnë shërbimin dhe paguajnë për të. Përderisa kemi përgjigje evazive, se këto ditë kemi pasur fluks të shtuar, këtu ka diçka që nuk shkon me sistemin, për sa kohë që kjo është një problematikë periodike.



