
“Posta e Rreme 2”, u kodua një operacion i policisë gjatë të cilit u godit një skemë mashtrimi kompjuterik përmes faqeve të falsifikuara të Postës Shqiptare, duke vënë në pranga një person dhe shpallur në kërkim një tjetër.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetas të huaj kishin krijuar faqe të rreme që imitonin faqen zyrtare të Postës Shqiptare dhe, nëpërmjet dërgimit të SMS-ve me linqe mashtruese, synonin të merrnin të dhëna personale dhe bankare të qytetarëve shqiptarë, me qëllim përfitimin e paligjshëm të vlerave monetare nga llogaritë e tyre bankare.
Në kuadër të operacionit u ndalua shtetasi francez Z. K., 22 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi gjerman T. M., 53 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.
Gjatë operacionit u sekuestruan celularë, karta SIM, karta bankare, dokumente të ndryshme dhe sende të tjera që dyshohet se lidhen me këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Sarandë, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që:
-Të mos klikojnë në linqe të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, email-eve apo rrjeteve sociale;
-Të verifikojnë gjithmonë adresën zyrtare të institucioneve përpara se të plotësojnë të dhënat personale apo bankare;
-Të mos japin asnjëherë numra kartash bankare, kode sigurie apo fjalëkalime në faqe të paverifikuara;
-Të raportojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit, çdo rast të dyshuar mashtrimi online.
Në rastet e mëparshme, disa shtetas kanë rënë viktimë e kësaj skeme mashtrimi, duke pësuar humbje monetare për shkak të vendosjes së të dhënave të tyre bankare në faqet e falsifikuara.



