Një efektiv i forcave “Shqiponja” është marrë i pandehur dhe është dërguar për gjykim nga Prokuroria e Fierit, nën akuzën se ka përfshirë një të mitur në aktivitet të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Sipas organit të akuzës, bëhet fjalë për shtetasin me iniciale B.D., i cili përballet me akuzat për “prodhim dhe shitje të narkotikëve”, “shpërdorim detyre” dhe “shtytje të të miturit në krim”. Hetimet janë zhvilluar në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024 dhe kanë përfunduar me dërgimin e çështjes në gjykatë.
Nga hetimet ka rezultuar se efektivi i policisë ka rekrutuar një të mitur, me iniciale E.H., duke e përfshirë në shpërndarjen e drogës. Fillimisht, ai e ka afruar të riun për të marrë informacione, por më pas e ka përdorur drejtpërdrejt në aktivitetin e paligjshëm.
Prokuroria bën me dije se i mituri ndodhej në kushte të vështira ekonomike dhe familjare, si dhe ishte përdorues i lëndëve narkotike. Sipas hetimit, këto rrethana janë shfrytëzuar nga punonjësi i policisë për ta përfshirë në veprimtari kriminale.
Organi i akuzës thekson se efektivi ka vepruar në kundërshtim të hapur me detyrën dhe në dëm të interesave të shtetit, rendit publik dhe mirëqenies së të miturit.
Prokuroria e Fierit deklaron se do të vijojë të ndjekë penalisht çdo zyrtar publik që përfshihet në veprimtari të paligjshme, veçanërisht kur ato prekin sigurinë publike dhe të miturit.



