
Në shtëpi kishin mbi një kilogram kokainë, një pistoletë dhe dy karikatorë plotë me municion. Bëhet fjalë për një çift, një shqiptar 42-vjeçar dhe partnerja e tij, një italiane 21-vjeçare.
Policia e Pordenones në Itali, i mbajti në monitorim për disa kohë, deri në një kontroll në shtëpinë e tyre.
Kur hynë brenda, karabinierët e kapën çiftin duke tentuar të fshihte një qese me dy pako kokainë, një me 862 gramë dhe një 303, si dhe një peshore preçize.
Policia gjeti një pistoletë gjysmë automatike Glock, dy karikatorë dhe një brez elastik mesit për të fshehur pistoletën dhe karikatorët. Në një çantë tjetër, që mbante 42-vjeçari, policët gjetën edhe gati 11 mijë euro cash.



