
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka konfirmuar në detyrë drejtuesin e Prokurorisë së Krujës, Petrit Çano. Vendimi i Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ishte ankimuar nga Komisioneri Publik, por sërish ai është konfirmuar në detyrë nga KPA.
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili ankimoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmim e Çanos në tetor 2019, kërkoi nga Kolegji që të ndryshonte këtë vendim dhe të caktonte shkarkimin e prokurorit për shkelje në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit.
Çano dhe mbrojtësi i tij kundërshtuan përfundimet e Ballhysës dhe këmbëngulën për konfirmimin në detyrë.
Çështja ndaj Çanos ka zgjatur gati dy vjet dhe në KPA janë zhvilluar mbi 7 seanca në lidhje me këtë rast.
Në përfundim të hetimit administrativ për të tre kriteret e rivlerësimit, pasurinë, pastërtinë e figurës dhe aspektin profesional, trupa gjyqësore e KPK-së vendosi të konfirmojë në detyrë kryeprokurorin e Krujës.
Prokurori Petrit Çano e ushtron funksionin e tij prej më shumë se 20 vitesh në rolin e drejtuesit.
Ai ka drejtuar Prokurorinë e Vlorës në vitet 2000-2008 si dhe atë të Lushnjes në vitet 2008-2015.
Me dekret të presidentit të Republikës, Çano është emëruar drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë prej vitit 2015.



