Një person i shpallur në kërkim për vjedhje me dhunë është vënë në prangat e policisë së Pukës, gjatë operacionit të koduar “Harresa”
Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Pukë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, në vijim të punës për kapjen e autorëve të ngjarjes së ndodhur më datë 20.08.2020, në fshatin Kqirë, Pukë, ku dyshohet se, në banesën e një shtetaseje të moshuar, u vodh me dhunë një shumë parash, u organizua dhe u finalizua operacioni policor.
Si rezultat i këtij operacioni u kap dhe u ndalua shtetasi V. N., 27 vjeç, banues në fshatin Naraç, Vau i Dejës, i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë, me vendimin e datës 9 korrik 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
27-vjeçari, në bashkëpunim me shtetasin M. N., i shpallur në kërkim, më datë 20 gusht 2020, gjatë natës, në lagjen “Kishagji”, në fshatin Kqirë, Pukë, kanë hapur me forcë derën e banesës së shtetases M. N., 80 vjeçe, të cilën e kanë goditur dhe më pas kanë marrë shumën 100.000 lekë të rinj, në këtë banesë.
Aktualisht vijon puna për kapjen e shtetasit M. N., ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë Pukë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.



