Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Korçë, ku një prift ka rënë aksidentalisht nga çatia e kishës ku shërben, duke përfunduar në spital.
Prifti 63-vjeçar, Kristaq Viso, është dërguar me urgjencë për ndihmë mjekësore, pasi ra nga një lartësi e konsiderueshme teksa po punonte mbi çatinë e kishës.
Sipas informacioneve nga korrespondentja e MCN në Korçë, prifti ndodhej në çati për të hequr disa tjegulla dhe llamarina të vjetra, me qëllim që të përzgjidhte materialet që mund të ripërdoreshin gjatë rikonstruksionit të objektit.
Çatia, e dëmtuar nga koha dhe lagështira, u shemb papritur duke bërë që ai të bjerë në brendësi të ambientit të kishës.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se objekti fetar është i vjetër dhe ishte parashikuar për rikonstruksion së shpejti.
Në momentin e incidentit, në ambientet e kishës ndodheshin dy priftërinj, njëri në oborr dhe tjetri në çati, ku ndodhi edhe aksidenti.
Gjendja shëndetësore e priftit raportohet se është nën kontroll dhe ai po merr trajtimin e nevojshëm në spital.



