Pesëdhjetë mijë euro i janë grabitur një kambisti më 11 shkurt në qytetin e Fierit, por ngjarja nuk është raportuar nga policia me justifikimin se mund të dekonspironte operacionin për kapjen e autorit.
Burimet policore thanë se një shtetas, pasi ishte prezantuar si azerbajxhanas në një pikë këmbimi, donte të këmbente një shumë dollarësh me 50 mijë euro.
Ka qenë ky moment që i ka krijuar mundësinë, veçanërisht pas shpërqëndrimit të kambistit për një moment, që grabitësi të përfitojë duke zbrazur valixhen me 50 mijë euro dhe duke e lënë bosh.
Pas kryerjes së këtij veprimi, ai, është larguar menjëherë me idenë se po shkonte në bankë për të marrë shumën e dollarëve me të cilën do të blinte eurot.
Kanë mjaftuar vetëm 15 minuta që ngjarja të kuptohet nga kambisti, i cili menjëherë ka bërë denoncimin në polici.
Kamerat e sigurisë të kqyrura nga policia, tregojnë një burrë rreth të 60-ave dhe me pak mjekër, i cili është futur në pikën e këmbimit valutor me kapele në kokë, ndërsa mban dhe syze.



