
Në Parkun Kombëtar të Gërmenjës, në qarkun e Korçës, vijojnë të jenë aktive disa vatra zjarri, megjithëse situata aktualisht paraqitet më e qetë dhe nën kontroll të pjesshëm.
Vatrat janë të shpërndara në të dy anët e kufirit, mes territorit shqiptar dhe atij grek, me intensitet më të lartë në territorin grek dhe më të ulët në anën tonë.
Në terren janë angazhuar rreth 40 forca operacionale, përfshirë efektivë të MZSH-së, AdZM-së, Policisë së Shtetit, punonjës të bashkisë si dhe vullnetarë të zonës.
Operacionet e shuarjes janë të vështira për shkak të terrenit të thyer malor, që kërkon afro tre orë ecje për të arritur në sipërfaqen e prekur nga zjarri.
Gjithashtu, zona mbart rrezik të shtuar, pasi mendohet se përmban municione të paplasura, çka kërkon kujdes maksimal gjatë ndërhyrjeve.
Prej tre ditësh po punohet për hapjen e rrugëve lidhëse dhe krijimin e brezave mbrojtës, me qëllim që situata të mbahet nën kontroll dhe të parandalohet depërtimi i flakëve në brendësi të kurorës së parkut të mbrojtur.
Autoritetet mbeten në gatishmëri të plotë dhe vijojnë monitorimin intensiv të situatës.



