Një person i shpallur në kërkim për vendosjen e një sasie eksplozivi në banesën e fqinjit të tij në Fushë Krujë, mëngjesin e 1 qershorit, është arrestuar nga policia.
Leonard (Miri) Çopani, 32 vjeç, lindur dhe banues në Fushë Krujë, u arrestua gjatë ditës së djeshme në lagjen “Savër” të Lushnjes.
Ai dyshohet se është autori i vendosjes së lëndës eksplozive në murin rrethues të banesës së shtetasit D.T., ngjarje e ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit ende pa zbardhur e enjtja, në vendin e quajtur Arameras, Fushë-Krujë.
Si pasojë e shpërthimit u shënuan vetëm dëme materiale pa të lënduar në njerëz.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një fitil zjarrpërcjellës 16 cm dhe një qese plastike me ngjyrë të verdhë.
Mes të dyshuarit dhe të dëmtuarit ka pasur konflikt pronësie, lidhur me një tokë që ndante dy pronat e tyre.
32- vjeçari akuzonte D.T., se kishte kaluar kufirin dhe kishte hyrë në tokën e tij, duke bërë që pas debateve të shumta t’i vendosë lëndën plasëse. Dyshohet se shpërthimi ka qenë paralajmërues se do e pësonte, dhe nuk ka pasur si synim dëmtimin e njerëzve.
Çopani akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Gjithashtu, Gjykata e Krujës në 18 maj ka vendosur ndaj tij masë sigurimi “Arrest me burg”, për veprën penale “Dhuna në familje”



