
Teksa shënohet tre vjetori i nisjes së agresionit rus në Ukrainë, në ‘Shtëpinë e Evropës’ në Tiranë u hap dje ekspozita “Fëmijëri e humbur”, si një mundësi për solidarizimin me Ukrainën
Kjo ekspozitë, e krijuar nga Platforma Përkujtimore e Ukrainës në bashkëpunim me familjet e viktimave, ndan historitë therëse të mbi 20 fëmijëve të vegjël që kanë humbur jetën tragjikisht për shkak të konfliktit të vazhdueshëm.
Në hapje morën pjesë, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato dhe ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, të cilët mbajtën edhe nga një fjalë, ku reflektuan mbi ndikimin e thellë të luftës mbi më të pafajshmit e kësaj lufte, të vegjlit në Ukrainë.
Ministri Hasani theksoi se, “historitë e më shumë se 20 fëmijëve të humbur nga lufta, janë jo vetëm shumë të trishtueshme, por edhe një kujtesë e fuqishme e mizorisë që po ndodh akoma”.
“Çelëm ekspozitën “Fëmijëria e Humbur”, një homazh prekës për shumë fëmijë ukrainas që kanë humbur jetën në këtë luftë: jetë të reja të vjedhura, ëndrra të ndërprera dhe zëra të heshtur.
“Ukrainasit kanë treguar vendosmëri të palëkundur. Ata qëndrojnë të fort, duke mbrojtur jo vetëm lirinë dhe tokën e tyre, por edhe parimet themelore të rendit ndërkombëtar. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë tyre në kauzën për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Slava Ukraini!”, theksoi ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Në hapjen e ekspozitës morën pjesë edhe ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, si edhe personalitete të jetës kulturore të vendit.
Ekspozita “Fëmijëria e Humbur” do të jetë e hapur deri më 28 shkurt, në Europe House në Tiranë.



