Një vatër e madhe zjarri ka "shpërthyer" pasditen e sotme në territorin e bashkisë së Belshit.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 16:00 flakët janë shfaqur në zonën ku kufizohen fshatrat Seferan dhe Merhojë. Të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era e fortë, ato janë përhapur me shpejtësi në disa drejtime, duke përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj, shkurre, bimësi dhe parcela bujqësore.
Nga zjarri janë dëmtuar edhe disa parcela me ullinj, ndërsa flakët vijojnë të avancojnë, duke rrezikuar seriozisht banesa që ndodhen pranë vatrës së zjarrit. Banorët e zonës janë vënë në alarm, ndërsa po ndjekin me shqetësim zhvillimin e situatës.
Për përballimin e emergjencës janë mobilizuar menjëherë forcat e Shërbimit Zjarrfikës të Bashkisë Belsh, strukturat e Emergjencave Civile, punonjës të bashkisë dhe shërbime të tjera në terren. Ekipet po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve dhe për të shmangur përhapjen e tyre drejt zonave të banuara.
Operacioni po zhvillohet në kushte të vështira për shkak të temperaturave të larta dhe erës, e cila ndryshon vazhdimisht drejtimin e flakëve, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen e efektivëve zjarrfikës.
Deri në këto momente nuk ka raportime për persona të lënduar, ndërsa autoritetet janë të përqendruara në mbrojtjen e jetës së banorëve dhe të pronave të tyre, si dhe në vënien nën kontroll të zjarrit.



