
Një i ri në Elbasan është vënë në prangat e policisë pasi tregtoi 24 mijë euro materiale të fasonerisë ku punonte.
Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, si dhe në administrim e trajtim të kallëzimit të një shtetaseje administratore e të njëjtit subjekt tregtar, u bë arrestimi i të dyshuarit.
Në pranga përfundoi F. T., 36 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
Ndalimi i tij u bë pasi nga veprimet hetimore të realizuara në administrim të kallëzimit të administratores tjetër të së njëjtës firmë, ka rezultuar se 36-vjeçari ka shitur në mënyrë të kundërligjshme, materiale fasonerie me vlerë 24 mijë euro, në pronësi të aktivitetit tregtar që administrohej nga ky shtetas.
Mallrat e shitur në mënyrë të kundërligjshme ishin nën regjim të përkohshëm nga autoritetet doganore shqiptare dhe të destinuara për t’u shitur në tregun italian.
Ndaj të dyshuarit materialet i kaluan Prokurorisë Elbasan, për veprime të mëtejshme.



