Një aksion policie është zhvilluar këtë të premte në hyrje të qytetit të Lezhës.
Burimet zyrtare bëjnë me dije se një shtetas është vënë në pranga pasi në automjetin që ai udhëtonte posedonte lëndë narkotike kokainë.
27-vjeçari i identifikuar me inicialet Sh.V u arrestua në vendin e quajtur "Rrethrrotullimi i M+". Fillimisht i riu nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet duke përplasur automjetet e shërbimeve të Policisë dhe rrezikuar seriozisht jetën e tyre.
Shërbimet e Policisë kanë arritur të ndalojnë dhe neutralizojnë mjetin me drejtues shtetasin Sh.V., dhe kanë ushtruar kontroll ndaj automjetit.
Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë gjetur lëndë narkotike kokainë, e ndarë në doza gati për shitje , të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sh.V., 27 vjeç, banues në Milot, Kurbin.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe " Kundërshtimi i punonjësit të Policisë".



