Një kompani shqiptare me qendër në Tiranë me aktivitet tregtar në Itali është zbuluar se ishte pjesë e një skeme përfitimi në shtetin italian. Mediat italiane, të cilat i referohen prokurorisë së Cosenza-s, shkruajnë se tre kompani kishin zbuluar një mekanizëm mbifaturimi, me anë të të cilit kishin arritur të përfitonin mbi 800 mijë euro. Dy prej kompanive që operonin në sektorin e tregtisë janë italiane, ndërsa e treta shqiptare.
Sipas skemës, kjo e fundit biinte mallra nga furnitorë kinezë dhe pakistanezë, të cilët i dërgonin mallrat në portin e Gioia Tauro, me destinacion dy kompanitë italiane, të cilat i prisnin me faturat e “fryra” fiktivisht nga kompania shqiptare.
Praktikisht, kompania shqiptare blinte nga furnitorët kinezë dhe pakistanezë me një çmim të caktuar dhe ua shiste produktet kompanive italiane me çmim të dyfishuar.
Me anë të kësaj strategjie, personat e përfshirë përfitonin duke shtuar kostot dhe ulur bazën tatimore.
Dy sipërmarrës italianë janë nën hetim për lëshim faturash për veprime të pakryera, ndërsa llogaritë bankare të kompanive të tyre janë nën sekuestro.



