
Ndër vendimet e sotme të qeverisë ishte edhe ai që kishte të bënte me indeksimin e çmimeve të listës së barnave të rimbursueshme.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se me këtë vendim, krijohet mundësia për të zgjeruar më shumë mbulimin me barna për të sëmurët përmes skemës së rimbursimit.
Me këtë vendim krijohet mundësia për të zgjeruar më shumë mbulimin me barna nëpërmjet skemës së rimbursimit të barnave për qytetarët që vuajnë nga sëmundje kronike dhe trajtohen nëpërmjet skemës së rimbursimit natyrisht edhe zgjerimin e diagnozave të mjekimit dhe rritjen e numrit të qytetarëve që përfitojnë nga skema e rimbursimit të barnave.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “indeksimi i çmimeve të barnave që bëhet nëpërmjet këtij vendimi qeverie është tashmë një praktikë e përvitshme që siguron një kursim të buxhetit të alokuar për barnat në listën e rimbursimit në vlerën 3.6 milionë dollarë, të cilat do të shfrytëzohen për të mbështetur më shumë persona, të cilët janë më shumë të diagnostikuar me sëmundje kronike për të zgjeruar alternativat e mjekimit për to, por edhe për të mundësuar që barra e rritur e sëmundshmërisë e ardhur edhe pandemia COVID-19 të mund të plotësohet plotësisht”.
Manastirliu bëri të ditur se “për vitin 2023 ne e kemi rritur buxhetin për listën e rimbursimit të barnave duke e çuar në 11.4 miliardë lekë , ndaj i gjithë ky buxhet i vënë në dispozicion dhe përfitimi i ardhur nga indeksimi i çmimit të barnave që vjen si përfitim në buxhetin e shtetit do të ndikojnë në përmirësimin dhe zgjerimin e terapive të mjekimit për pacientët që vuajnë nga sëmundje kronike dhe zgjerimin e alternativave të mjekimit”.
Lista e barnave të rimbursueshme përmban rreth 1191 alternativa mjekimi për pacientët që trajtohen në shërbimin ambulator.
Për vitin 2023 është rritur buxheti për listën e rimbursimit të barnave, duke e çuar në 11.4 miliard lekë.



