
Një 29-vjeçar me inicialet M.N. u arrestua nga policia pasi në shtator 2024 tentoi të vriste me armë zjarri kushëririn e tij.
I ndaluari e kreu krimin në bashkëpunim me babanë dhe vëllanë e tij, të cilët u kapën nga Policia, menjëherë pas ngjarjes.
"Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, mbi vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar për krim kundër personit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Tiranë, finalizuan operacionin e koduar “Lokacioni”.
Në kuadër të operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi M. N., 29 vjeç, të cilit Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me babanë dhe vëllanë e tij, shtetasit G. N. dhe E. N., gjatë një konflikti më datë 11.09.2024, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, kushëririn e tij, shtetasin E. N."
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.



