
Në vijim të operacioneve e përbashkëta ndërmjet FAST Albania dhe homologëve, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bashkëpunim me FAST Montenegro, FAST Luxembourg, u vu në pranga një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Luksemburgu, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Gjatë operacionit të koduar “Montenegro”, në territorin e Malit të Zi, në pikën e kalimit kufitar midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, Muriqan, u bë ndalimi i të shumëkërkuarit, bazuar në informacionet e dhëna nga FAST Albania, në bashkëpunim dhe me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Shkodër.
I arrestuari është Pjetër Ndoci (Lleshi), 40 vjeç, lindur në Vrith, Shkodër, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore në Luksemburg, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Ndaj 40-vjeçarit u ekzekutua, nga autoritetet policore të Malit të Zi, urdhër arresti ndërkombëtar i lëshuar nga autoritetet ligjzbatuese të Luksemburgut dhe vijojnë procedurat për ekstradimin e tij për në Luksemburg.



