
Pas panikut të tërmetit, Tirana përfshihet nga reshje të dendura shiu.
Një stuhi e fortë ka përfshirë kryeqytetin në orët e mbrëmjes.
Era e fortë, e cila ka rrëzuar disa pemë në rrugët kryesore, ua ka lënë vendin reshjeve të dendura të shiut, të shoqëruara nga një numër i lartë shkarkesash elektrike.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në vetëm 10 minuta janë regjistruar 290 shkarkesa elektrike.
Një stuhi e ngjashme është regjistruar edhe në Lezhë dhe Shkodër.
Intensiteti i lartë i reshjeve ka rënduar qarkullimin në rrugët e kryeqytetit, shumë prej të cilave janë mbushur me ujë.



