Rreth 650 hektarë kullota dhe sipërfaqe me bimësi janë djegur nga zjarri që prej disa ditësh ka përfshirë zonën e Pilurit në bashkinë e Himarës.
Aktualisht situata paraqitet më e qetë, ndërsa mbetet aktive vetëm një vatër zjarri, ku po vijon ndërhyrja nga toka nga strukturat e Bashkisë Himarë.
Përgjegjësi i emergjencave civile pranë Prefekturës së Vlorës, Robert Skendaj, ka konfirmuar se operacionet për shuarjen e flakëve kanë vazhduar për ditë me radhë, me ndërhyrje si nga toka ashtu edhe nga ajri.
Prej ditësh situata ka qenë problematike për shkak të përmasave të mëdha të zjarrit.
Aktualisht kemi vetëm një vatër aktive që nuk përbën rrezik për banesat. Ndërhyrja po vazhdon për izolimin dhe shuarjen e plotë të saj.
Në operacion janë angazhuar forcat zjarrfikëse nga katër bashki: Vlorë, Sarandë, Himarë dhe Finiq. Ndihmë të konsiderueshme kanë dhënë edhe Forcat e Armatosura me rreth 40 efektivë, të cilët kanë vepruar në terren dhe me helikopterë për përballimin e situatës.
Skendaj theksoi se në ditët e para rreziku ka qenë i lartë për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve dhe terrenit të vështirë, gjë që ka bërë të nevojshme përfshirjen e Policisë së Shtetit dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH).
Ndërkohë, autoritetet kanë paralajmëruar nisjen e një hetimi për të zbardhur nëse zjarri është shkaktuar qëllimisht.
Zjarri në Pilur ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në mjedis dhe pas normalizimit të plotë të situatës, do të kryhet një vlerësim i detajuar i pasojave dhe dëmeve të shkaktuara.



