Aldi Rama dyshohet të ketë qenë nën efektin e lëndëve narkotike momentin kur ka qëlluar me armë në drejtim të efektivit të policisë së Lezhës, Saimir Hoxha. Ky i fundit ndërroi jetë rrugës teksa transportohej për në spital, si pasojë e dy plumbave që kishte marrë në afërsi të zemrës dhe kraharor. Armando Marku dhe Kristjan Sherri, dy shokët e 21-vjeçarit që u arrestuan pas ngjarjes, kanë deklaruar se në lagunën e Vainit kishin shkuar për të konsumuar hashash dhe më tej, po ktheheshin për në Lezhë. Akuzat që rëndojnë ndaj dy të rinjve janë “moskallëzim krimi” dhe “përkrahje e autorit” në vendin e krimit. Në vijim të hetimeve, burime nga prokuroria e Lezhës bëjnë të ditur se Markut dhe Sherrit iu janë marrë analiza mjekoligjore, për të vërtetuar nëse ata kishin konsumuar lëndë narkotike momentin e ngjarjes.
Ndërkohë, Prokuroria e Lezhës ka konfirmuar që 21-vjeçari Aldi Rama është vetëvrarë pasditen e së martës, pak orë pasi qëlloi për vdekje efektivin Hoxha. Ky fakt është konfirmuar nga raporti mjeko-ligjor, që ka vërtetuar edhe shkakun e vdekjes të të riut. Në raport thuhet se Aldi Rama ka qëlluar veten me të njëjtën armë që kreu vrasjen. Sipas prokuroreve, kjo hedh poshtë dyshimet se ndaj tij është qëlluar nga forcat speciale, në emër të “kodit të nderit”.
Burimet nga organi i akuzës bëjnë të ditur se ende nuk është arritur të provohet nëse tre të rinjtë kanë patur lidhje me miniparcelën e drogës në Vain, ku oficerët e policisë asgjësuan me anë të djegies 62 rrënjë kanabis sativa në një tokë pa pronar, pak para ngjarjes. Gjithashtu, po hetohet edhe mënyra e zhvillimit të operacionit anti-kanabis në të cilin ishin vetëm tre oficerë policie, pa asnjë forcë tjetër mbështetëse.



