
Pesë italianë janë shpallur në kërkim nga policia pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shiheshin duke u konfliktuar me sende të forta.
Ngjarja ka ndodhur më 24 korrik, rreth orës 01:30 dhe nga hetimet ka rezultuar se dy grupe shtetasish italianë janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta, ku kanë goditur njëri-tjetrin me grushte dhe sende të forta.
Në përfundim të veprimeve procedurale u referuan materialet në Prokurorinë Sarandë, dhe u bë shpallja në kërkim për shtetasit italianë G. T., 23 vjeç, M. A., 20 vjeç, S. D., 60 vjeç, A. L., 19 vjeç, S. B., 19 vjeç, të gjithë banues në Napoli, Itali.
Këta pesë persona janë konfliktuar dhe kanë goditur me sende të forta shtetasit italianë G. M., 19 vjeç, F. D., 22 vjeç, L. D., 20 vjeç, të gjithë banues në Avelino, Itali.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori edhe për shtetasin italian E. G., i cili nga verifikimet rezultoi se ushtronte aktivitet të paligjshëm për shitje biletash për festa, pa lejen përkatëse, si dhe kishte punësuar në këtë aktivitet shtetas të pasiguruar.



