
Në nisje të procesit të votimeve për zgjedhjet lokale në Kosovë, Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka njoftuar se mbrëmë janë arrestuar katër persona në Kllokot, me inicialet A.D., M.K., A.T dhe Xh.B., në lidhje me procesin zgjedhor dhe me këtë dyshohet se kanë kryer veprat penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 i KPRK-së dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212 i KPRK-së.
Tutje në njoftim është bërë e ditur se katër të dyshuarit e arrestuar me urdhër të prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre ligjore, në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit, andaj inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës dhe njëherit të raportojnë për ç’do rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.



