Kultivimi i drogës me llamba nuk është më një fenomen vetëm për çunat e Londrës. Aksionet e Policisë së Shtetit vetëm në një javë kanë zbuluar 12 banesa në Shkodër dhe Lezhë ku kultivohej kanabis.
Një valë operacionesh policore ka zbuluar përmasat e kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura në qarkun e Shkodrës dhe në Lezhë, ku banesa dhe objekte të ndryshme ishin përshtatur si “shtëpi bari” me ndriçim artificial.
Sipas policisë ky fenomen i cili me sa duket shtëpitë e barit të Londrës po i kthen në trend në Shqipëri, në Veri është konstatuar në 10 ambiente.
Aksionet e koduara “Neonët” dhe “Second Floor” kanë goditur disa raste të kësaj veprimtarie kriminale, duke çuar në arrestime, shpallje në kërkim dhe procedime ndaj personave të përfshirë, mes tyre edhe punonjës të OSHEE-së të dyshuar për shpërdorim detyre dhe bashkëpunim.
Në kuadër të operacionit “Neonët 4” në Shkodër, policia zbuloi një banesë të marrë me qira në Velipojë, të përshtatur për kultivimin e kanabisit me llamba. U arrestua në flagrancë një 22-vjeçar nga Vau i Dejës, si dhe një punonjës i OSHEE-së, ndërsa dy të tjerë u proceduan për shpërdorim detyre.
Emisioni “FactCheck” në MCN TV raporton se gjatë ndërhyrjes u sekuestruan 300 bimë të dyshuara kanabis, një sasi lënde narkotike, 125 pajisje elektrike, 4 celularë dhe një përforcues grushti.
Ndërkohë, me finalizimin e “Neonët 5” dhe “Neonët 6”, numri i ambienteve të zbuluara ka shkuar në 10, me disa persona të arrestuar dhe të tjerë të shpallur në kërkim, përfshirë edhe punonjës të OSHEE-së të dyshuar për bashkëpunim apo shpërdorim detyre.
Në Vau i Dejës, në fshatin Barbullush, u zbuluan dy banesa të përshtatura për kultivim me llamba, ku u vunë në pranga një 31-vjeçar dhe u shpallën në kërkim katër persona të tjerë. Po ashtu, u ndaluan tre punonjës të OSHEE-së.
Bilanci i sekuestrimeve përfshin 583 bimë kanabisi, 7 kilogramë e 490 gramë kanabis të përpunuar, 307 pajisje elektrike dhe 3 celularë. Operacionet u zhvilluan në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe forcat operacionale.
Ndërsa në Lezhë, operacioni “Second Floor” zbuloi në një objekt trekatësh në fshatin Rrilë katër ambiente të përshtatura për kultivimin dhe tharjen e kanabisit. U sekuestruan 8.8 kilogramë kanabis i tharë, 1064 bimë, 960 fidanë, 850 fara, 106 llamba elektrike, 180 gramë kokainë, 3 armë zjarri, 2 armë sportive, një automjet dhe 4 celularë.
Në pranga ranë babë e bir, si dhe një punonjës i OSHEE-së, ndërsa katër punonjës të tjerë po hetohen për shpërdorim detyre. Sipas hetimeve, veprimtaria kriminale dyshohet se zhvillohej prej disa muajsh.
Shtëpitë e Barit / Sekuestrot
Të arrestuar gjithsej: 9 persona
-2 në kuadër të “Neonët 4” (22-vjeçari + 1 punonjës i OSHEE-së)
-4 në “Neonët 5” (1 shtetas + 3 punonjës të OSHEE-së)
-3 në “Second Floor” në Lezhë (babë e bir + 1 punonjës i OSHEE-së)
Lëndë narkotike e sekuestruar:
-7 kg e 490 gr kanabis
-8.8 kg kanabis (e tharë)
Totali kanabis: 16 kg e 290 gramë
-180 gramë kokainë
Llamba elektrike të sekuestruara: 538 llamba elektrike



