
Një zjarr i madh ka shpërthyer në fshatin Hoshtimë, në Vlorë, duke djegur varrezat që ndodhen aty pranë.
Korrespondentja nga Vlora, Ariola Hasanaj, raportoi për edicionin e lajmeve në MCN TV se flakët po rrezikojnë seriozisht dy fshatrat përreth dhe, për t’i shpëtuar banorët nga rreziku, policia ka ndërmarrë masa të menjëhershme për evakuimin e tyre.
Flakët janë zhvendosur drejt fshatrave Kërkovë dhe Bestrovë, ku janë prekur ullinj shekullorë, duke shtuar kërcënimin për shkatërrim të mëtejshëm. Zjarri që po avancon drejt Kërkovës ka rrezik serioz për dy banesa, të cilat shërbejnë gjithashtu si stane.
Për momentin, nuk raportohet për persona të lënduar, por situata mbetet kritike dhe po monitorohet vazhdimisht nga autoritetet përkatëse.
Flakët janë shtrirë deri fare pranë disa shtëpive në zonë, duke rrezikuar seriozisht banorët dhe pronat e tyre, ndërsa është përhapur edhe në ullishte.
Në vendngjarje kanë mbërritur deri tani të paktën dy mjete zjarrfikëse, ndërsa mësohet se helikopteri i Forcave të Armatosura është nisur drejt vendngjarjes, për të hedhur ujë nga lart mbi flakët.
Policia ka ndërmarrë masa të shpejta duke larguar të gjithë qytetarët nga banesat që rrezikohen nga flakët dhe ka zhvendosur bagëtitë nga stallat për t’i mbrojtur nga zjarri.



