
Zjarri në landfillin e Elbasanit vijon prej pesë ditësh.
Edhe pse intensiteti vërehet të ketë rënë disi, zjarri ka lënë pas ndotje të madhe të ajrit dhe rrezik serioz për shëndetin e komunitetit përreth.
Pavarësisht përpjekjeve intensive për shuarjen e flakëve dhe ndërprerjen e djegies në thellësi, vatrat vijojnë të jenë aktive.
Mbi 20 mijë metër kub dhera janë hedhur deri tani, por mungesa e materialit ka vënë në vështirësi ekipin në operacion.
Gjatë natës së fundit, rreth 50 kamionë me dhera janë sjellë nga Tirana për të përballuar emergjencën.
Në përballje me situatën e krijuar, Prefekti i Qarkut Elbasan, Ilir Bejtja, thirri në një takim urgjent me kryetarët e 7 bashkive të qarkut.
Megjithatë, në sallë ishte i pranishëm vetëm kryebashkiaku i Librazhdit, ndërsa përfaqësuesit e tjerë ishin zëvendësuar nga stafet e tyre.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Shtabit të Emergjencave Civile dhe Kolonel Vladimir Nasufi.
Tymit të dendur dhe ndotjes së ajrit u janë ekspozuar për ditë me radhë qindra banorë. Pasojat mjedisore dhe shëndetësore janë të pashmangshme.



