Fill pas operacionit të riatdhesimit të pesë grave dhe 14 fëmijëve nga kampi famëkeq në Siri drejt Shqipërisë, kreu i Antiterrorit, Gledis Nano, tha se ky operacion ka pasur vështirësi në finalizimin e tij, për shkak të prezencës së ISIS në terren.
Sa i përket bashkëshortëve të grave që mbërritën sot në Shqipëri, Nano tha se një pjesë e tyre janë në burg, të tjerë të fshehur në terren ndërsa për të tjerë dyshohet të kenë vdekur në luftime. Ndërkohë që shtoi se në kamp ka edhe rreth 30 shqiptarë të tjerë, me të cilët po punohet për t’i riatdhesuar.
“Është punuar që në operacionin e kaluar, janë identifikuar persona në kampin Al hol dhe janë transferuar në kampin Roj, ku ka më tepër kushte për të jetuar. Kjo u realizua herën e kaluar dhe operacioni ka qenë në vijim pa asnjë ndërprerje që kur u nisëm për të kryer operacionin e dytë. Vështirësitë janë për shkak se ISIS ka ende prezencë në terren. Këta familjarë, fëmijë dhe gra nuk lejohen të riatdhesohen se duhet të qëndrojnë aty. Në kuptim të bashkëpunimit me agjencitë e tjera ligjzbatuese në rajon, ka pasur lehtësira se marrëdhëniet janë më të ngushta. Po punojmë në atë drejtim dhe disa persona ndodhen në burg në Sirinë verilindore, një pjesë e tyre janë larguar dhe janë fshehur në terren ndërsa për një pjesë ka dyshime të kenë humbur jetën nga luftimet.
Kreu i Antiterrorit, tha se në kamp janë ende 30 persona, duke shtuar se një pjesë e tyre nuk janë bashkëpunues me strukturat.
“Janë rreth 30 persona të tjerë në kamp Al Hawl. Pjesa më e madhe e personave nuk bashkë-punuan. 5 gra dhe 14 fëmijë u riatdhesuan nga Siria në vendin tonë. Sa i takon atyre që kanë ikur për luftë, një pjesë e tyre janë larguar dhe fshehur në terren, dhe një pjesë mund të kenë humbur jetën si pasojë e luftimeve. Ne do të vazhdojmë punën tonë, se kemi ndaluar asnjëherë. Është një proces që paralelisht me ndërhyrjen tonë, është procesi i integrimit. Ndaj kërkon kohë. Pjesa më e madhe të tjerëve janë në Al Hol. Nuk janë bashkëpunues, i fshihen punonjësve që të bashkëpunojnë për rikthimin e tyre”, tha ai.
Mëngjesin e sotëm 14 fëmijë dhe pesë gra shqiptare u kthyen nga kampi Al-Hol në Siri në Shqipëri, për herë të parë pas shumë vitesh.



