Policia ka vënë në pranga një 27-vjeçar të identifikuar si shtetasi E. Xh., banues në Mamurras, pas një ndjekjeje si nëpër filma në kuadër të operacionit të koduar “Target”.
Sektori për Krimet e Rënda në Lezhë dhe Komisariati i Kurbinit organizuan operacionin bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se i riu qarkullonte i armatosur.
Sapo u lokalizua në qytetin e Mamurrasit, 27-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar, por ka shtuar shpejtësinë duke përplasur automjetin e shërbimit të Policisë dhe duke rrezikuar jetën e efektivëve.
Gjatë tentativës për t'u larguar, ai ka hedhur nga makina edhe armën e zjarrit që mbante me vete. Pas disa minutash ndjekjeje, ai u neutralizua dhe u arrestua në lagjen “Zef Hoti” në Mamurras.
Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, automjetin e autorit dhe një palë targa. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme.



