Një grua është plagosur me armë zjarri mëngjesin e djeshëm në fshatin Bresje të Fushë-Kosovës.
Pranë stacionit policor në Prishtinë, sot ndërkaq Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist po mban aksion simbolik në mbrojtje të jetës së grave.
Kjo si kundërpërgjigje ndaj tentim vrasjes së një gruaje në Fushë Kosovë nga bashkëshorti i saj, i cili ishte arrestuar dy ditë më parë për dhunë në familje.
Sipas Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, shteti po mban anën e dhunuesve në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe se ajo çfarë kanë parë nga institucionet ka qenë “një loje e vazhdueshme për ta hedhë fajin te njëra-tjetra”.
Sipas tyre, institucionet e shoqëria duhet t’iu dalë krah grave në luftën për çlirim kudo që ajo zhvillohet.
Policia e Kosovës ndërkaq ka njoftuar se janë arrestuar dy persona të martën për tentim vrasjen e një gruaje në Fushë-Kosovë.
Policia ka thënë se është arrestuar një person që dyshohet se ka shtënë me armë, që është bashkëshorti i viktimës dhe një tjetër që dyshohet e ka marrë armën e cila është përdorur, duke tentuar ta largonte nga vendi i ngjarjes.
Të dy janë dërguar në mbajtje.
Gruaja e plagosur dje është duke u trajtuar në QKUK dhe mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë krimi ndaj grave në Kosovë po shtohet dita-ditës. Nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 57 gra nga burrat dhe familjarët e tyre.



