Ngrihet Komiteti i Mbrojtjes Civile/ Kryesohet nga ministri i Mbrojtjes

Ngrihet Komiteti i Mbrojtjes Civile/ Kryesohet nga ministri i Mbrojtjes

Qeveria ka miratuar vendimin për ngritjen e Komitetit të Mbrojtjes Civile (KMC), i cili do të jetë organi më i lartë, i përhershëm, përgjegjës për zbatimin e politikave për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile në Republikën e Shqipërisë.

Sipas vendimit të qeverisë, KMC-ja kryesohet nga ministri i Mbrojtjes dhe ka në përbërje ministrin e Brendshëm, ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, ministrin e Financave dhe Ekonomisë, ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, ministrin e Drejtësisë, ministrin e Kulturës, drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, drejtorin e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, drejtorin e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, si dhe kryetarin e Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha.

Në varësi të nevojave, në mbledhjet e KMC-së ftohen edhe përfaqësues nga institucione shkencore dhe monitoruese, drejtues të strukturave qendrore, organizata joqeveritare etj.

KMC-ja mblidhet, sa herë gjykohet e nevojshme nga kryetari i tij, për çështje që kanë të bëjnë me zbatimin e politikave në bashkërendimin e punës për zvogëlimin e riskut ndaj fatkeqësive dhe mbrojtjen civile. Të drejtën e propozimit për thirrjen e mbledhjes së KMC-së, përveç kryetarit të tij, e ka edhe çdo ministër, sipas fushës së përgjegjësisë dhe llojit të fatkeqësisë.

Po ashtu, në vendim përcaktohet se KMC-ja zbaton politikat që kanë të bëjnë me vlerësimin e riskut nga fatkeqësitë në nivel qendror, Strategjinë Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë dhe Planin Kombëtar të Emergjencave Civile dhe, nëpërmjet ministrit përgjegjës për mbrojtjen civile, propozon ndryshime apo përditësime të tyre.

KMC-ja është autoriteti më i lartë i përhershëm që bashkërendon e koordinon veprimtaritë dhe aktivitetet ndërinstitucionale të institucioneve e të strukturave dhe të të gjitha subjekteve të përfshira në mbrojtjen civile.

Në vendim përcaktohet se KMC-ja, me kërkesë të prefektit, në rast se vlera e kompensimit tejkalon 8 (tetë) % të buxhetit të bashkisë, merr vendim për kompensimin e dëmeve nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

Pranë AKMC-së ngrihet e funksionon sekretariati teknik i KMC-së, i cili është përgjegjës për përgatitjen e materialeve të mbledhjes dhe për njoftimin e anëtarëve të KMC-së për mbledhjen e radhës, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë përpara datës së zhvillimit të saj. Përbërja e sekretariatit teknik të KMC-së përcaktohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

“Çdo ministër është përgjegjës për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile në fushën e përgjegjësisë shtetërore të institucionit që drejton, nëpërmjet sektorit për mbrojtjen civile. Ministritë hartojnë plane, programe e dokumente të tjera që kanë për qëllim zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, sipas llojit të veprimtarisë e përgjegjësisë së tyre”, thuhet në vendim.

Sektorët për mbrojtjen civile në ministritë përkatëse, thuhet në vendim, aktivizojnë, me kërkesë të AKMC-së, kapacitetet e parashikuara për emergjencë civile, për të reaguar me shpejtësi dhe efektivitet në rastin më të parë të mundshëm, por asnjëherë më vonë se dy orë.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy