Policia e Tiranës ka njoftuar se ka kapur në flagrancë një 28-vjeçar, i cili kishte vjedhur një automjet të parkuar në Astir dhe po tentonte të largohej me të.
Operacioni i koduar “Short time”, i realizuar nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, ka çuar në kapjen e shtetasit A. M., banues në Tiranë.
Si pasojë e veprimeve hetimore dhe kallëzimit të një shtetaseje për vjedhjen e automjetit të saj, u bë i mundur identifikimi dhe lokalizimi i autorit.
Shtetasi A. M., më datë 17.07.2025, dyshohet se ka vjedhur një automjet të parkuar në Astir dhe është larguar në drejtim të bulevardit “Bajram Curri”.
Në momentin e lokalizimit nga Policia, 28-vjeçari ka tentuar të largohet, por është ndaluar nga punonjësit e Policisë.
Automjeti i vjedhur është sekuestruar dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.



