Policia e Lushnjës ka finalizuar operacionin e koduar “Passport”, ku ka zbuluar një bazë të falsifikimit të dokumeteve dhe strehimit të emigrantëve nga vendet e treta me qëllim kontrabandimin e tyre në një nga vendet e BE-së, kundrejt fitimit.
Në pranga janë vënë dy shtetas, ndërsa sipas policisë, gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 5600 euro, para që përdoren në Bangladesh, 11 pasaporta, dokumenta të tjera të dyshuara të falsifikuara, 6 aparate celularë, 1 laptop, 1 automjet.
“Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, bazuar në informacionet e marra në rrugë policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Fier dhe Forca e Posacme ‘Shqiponja’ finalizuan me sukses operacionin policor të koduar ‘Passport’, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: G. H., 53 vjeç dhe Xh. H., 24 vjeç, (babë e bir), banues në Karbunarë, Lushnjë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Këta shtetas, në lagjen “Kongresi”, Lushnjë, kishin marrë një banesë me qera, që shërbente si bazë për të strehuar klandestinë me qëllim trafikimin e tyre për në vendet e Bashkimit Europian duke i pajisur me pasaporta të dyshuara të falsifikuara. Gjatë kontrollit të banesës, u gjetën dy shtetas të huaj si edhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 11 pasaporta, dokumenta të tjera të dyshuara të falsifikuara, etj. Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme procedurale.



