
Një i ri është arrestuar nga policia në Durrës, pasi gjatë kontrollit të policisë i është gjetur në çantë një pistoletë.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në bashkëpunim me Forcat “Shqiponja” në DVP Durrës, gjatë kontrolleve të shtuara për kapjen e personave që lëvizin me armë zjarri apo me sende të kundërligjshme me vete, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë ndaluar për kontroll në lagjen nr.13, Plazh, Durrës, shtetasin Kejvin Gjegja.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi, në çantën e tij të dorës, shërbimet e Policisë kanë gjetur një armë zjarri pistoletë. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën 2 palë pranga hekuri si ato të Policisë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh arrestuan në flagrancë për veprën penale "Armëmbajtje pa leje", shtetasin Kejvin Gjegja, 20 vjeç, banues në lagjen nr.13, Plazh, Durrës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.



