Policia e Beratit njofton se dy bashkëshortë të cilët përzienin produkte të dëmshme dhe i shisnin si vaj ulliri nëpërmjet mashtrimit, janë shpallur në kërkim.
Menjëherë pas kallëzimit të përfaqësuesve të një emisioni investigativ, për një rast të mashtrimit me produktet ushqimore vaj ulliri, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Berat, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër, kanë ndërhyrë për të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore, përgjegjësit për këtë rast.
Në vijim janë kryer kontrolle në dy magazina në Shkodër, në pronësi të shtetases J. M., 40 vjeçe, të dhëna me qira, bashkëshortëve E. B., 50 vjeç dhe V. B., 43 vjeçe, banues në Dimal.
Në këto ambiente janë gjetur 300 litra përzierje lëndësh të panjohura dhe të dëmshme, të cilat shiteshin në qytetin e Shkodrës, nëpërmjet mashtrimit, si vaj ulliri.
Për këtë rast, u shpallën në kërkim shtetasit E. B., dhe V. B., për kapjen e të cilëve, vijojnë kontrollet. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për 40-vjeçaren.



