Një shtëpi te lagjja ‘Kroi i Vitakut’ në veri të Mitrovicës dyshohet se u sulmua me një koktej molotovi rreth orës 00:30 të natës, ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për veriun e Kosovës, Veton Elshani.
Për këtë ka njoftuar edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili në emër të qeverisë e dënoi fuqishëm këtë akt.
Qeveria e Republikës së Kosovës e dënon fuqishëm këtë akt dhe as ky e asnjë sulm tjetër nuk e ndal kthimin e banorëve në pronat e tyre. Kërcënimet, shantazhet, pamfletet terroriste, nuk i frikësojnë qytetarët dhe as nuk e ndalojnë punën tonë për sigurimin e banimit të qëndrueshëm.
Ministri i Pushtetit Lokal, ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç për nxitje të mosdurimit etnik.
Ky sulm është nxitje e mosdurushmërisë etnike e cila nxitet nga Vuçiçi i cili ka mbetur i mbyllur në propagandën e tij dhe e ka humbur kontrollin e strukturave paralele në pjesën veriore.
Ai ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 00:30 gjatë mesnatës dhe se një patrullë policore ka identifikuar tym në një nga shtëpitë e ndërtuara nga Qeveria në Kodrën e Minatorëve.
Sipas tij zjarri është fikur dhe dëmet janë sanuar ndërkohë që nuk ka pasur persona të lënduar.
Aktualisht nuk ka të dyshuar apo të arrestuar nga Policia në veri.



