Përfundon në Turqi hetimi ndaj Sinan Idrizit, partneri kryesor i kompanisë “Air Albania”. Në aktakuzën e përgatitur nga prokuroria turke, për Idrizin janë kërkuar deri në 10 vjet burg për "mashtrim", raportojnë mediat turke.
Sinan Idrizi akuzohet për mashtrimin e biznesmenit Adnan Polat, një nga ish-presidentët e Galatasaray.
Adnan Polat, kryetari i Bordit të Grupit Polat, ish-Presidenti i Klubit Sportiv Galatasaray, paraqiti në maj një kallëzim penal në Zyrën e Prokurorit Publik të Stambollit, duke pretenduar se ai ishte mashtruar nga partneri i kompanisë Air Albania Airline dhe menaxheri i Flamurtarit.
Sinan Idrizi, sipas padisë së depozituar në prokurorinë e Stambollit, i ka kërkuar para biznesmenit turk, me premtimin për blerjen e një kompanie të naftës, por kontrata nuk ishte përmbushur. Sipas medias turke, Idrizi i ka thënë biznesmenit Polat se një kompani e quajtur Global Fluids International (GFI) në Shqipëri po bën një biznes shumë fitimprurës dhe mund ta ndihmojë atë nëse dëshiron të blejë kompaninë. Sipas padisë, Sinan Idrizi i ka thënë kreut të grupit Polat se çmimi i shitjes së kompanisë ishte 17 milion dollarë dhe se 3.5 milion dollarë do të jepeshin si depozitë, dhe nëse shitja nuk do të bëhej, depozita do të kthehej.
Sipas padisë, Polat e kishte bërë gati marrëveshjen për blerjen e aksioneve në nëntor 2016. Por Idrizi, sipas mediave turke i kishte thënë se paratë duhet të kalonin përmes një personi të besuar të tij dhe jo nëpërmjet bankës. Polat ka pretenduar se e ka dërguar tarifën e parapagimit në llogarinë e biznesmenit pas kontratës së shitjes që ata nënshkruan.



