
Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se në aksin Librazhd-Pogradec, në vendin e quajtur “Arrat e Gurrës”, është konstatuar thellimi i çarjeve të vjetra dhe të reja të shfaqura në këtë zonë, duke krijuar një situatë të pasigurt për përdoruesit e rrugës.
Nisur nga kjo, ARRSH ka ndërmarrë menjëherë masa paraprake emergjente për parandalimin e aksidenteve të mundshme.
Institucioni bën me dije se, duke nisur nga dita e sotme, në koordinim me Policia e Shtetit, do të ketë kufizim të lëvizjes me një korsi në segmentin ku ka ndodhur rrëshqitja, si dhe do të vendoset semafor për disiplinimin e trafikut.
Në vijim, do të merren masa për hapjen e një korsie provizore në të majtë të trupit të rrugës, me qëllim garantimin e qarkullimit të mjeteve në të dy drejtimet.
Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës për kufizimet e përkohshme në këtë segment, duke theksuar se ndërhyrja është e domosdoshme për garantimin e sigurisë rrugore.



