Një 31-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në aksin Lezhë–Shëngjin, në afërsi të lapidarit.
Sipas informacioneve paraprake, i riu me inicialet K.G., banues në Shëngjin, duke drejtuar një automjet tip “Audi”, ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur fillimisht me një mur rrethues, e më pas me dy automjete të parkuara pranë rrugës.
Si pasojë e përplasjes së fortë, 31-vjeçari ka pësuar fraktura të shumta. Pasi mori ndihmën e parë në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Lezhës, ai u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Dyshimet paraprake janë se aksidenti mund të ketë ndodhur si pasojë e shpejtësisë së lartë, e cila ka bërë që drejtuesi i mjetit të humbë kontrollin.



