
Policia e Tiranës ka reaguar zyrtarisht lidhur me operacionin antidrogë ku mbeti i arrestuar një efektiv i RENEA-s dhe dy të tjerë. Nga operacioni i koduar “Baron”, është sekuestruar 1 kilogramë e 88 gramë kokainë.
“Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikeve Specialistët e Seksionit për Hetimin e narkotikëve në DVP Tiranë , bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “BARON”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: L. G., 43 vjeç, banues në Vorë, Xh. L., 28 vjeç (punonjës policie) banues në Fier dhe D. N., 62 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve”, njoftoi policia.
Mbi bazën e informacioneve të marra nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë se shtetasit Ded Nimani dhe L. Gaci, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, merreshin me veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve konkretisht duke blerë kokainë në sasi 1 deri në 2 kilogramë dhe më pas duke e shitur atë në zona të ndryshme të Tiranës, si dhe në kufi me qarkun e Durrësit me qëllim shmangien e prezencës policore, kanë organizuar punën duke i mbajtur nën vëzhgim.
Në aksin rrugor Tiranë-Durrës, rruga e vjetër në zonën e Ndroqit, shtetasi Xh. L., dhe D. N., janë kapur në flagrancë së bashku me shtetasin L. G., me një pako lëndë narkotike kokainë. Në cilësinë e provës materiale u sekeustrua lënda narkotike me peshë totale 1 kilogramë e 88 gramë, dy automjete, pesë aparate celular dhe një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.



